PROJEKTI I ÇOKOLLATËS
Çdo vit në ditën e të dashuruarve (14 Shkurt), Fondacioni Dera në bashkëpunim me kishat lokale në të gjithë Shqipërinë shpërndan një pako të përgatitur me shumë dashuri me çokollata dhe me kartolinën e re që përmban mesazhin e dashurisë së Zotit.
Në atë ditë, ne organizohemi me vullnetarët tanë dhe besimtarë nga kishat për t’i shpërndarë pakot me cokollata në cdo shtëpi, në rrugë dhe parqe. Dashuria e Zotit arrin cdo person, të madh e të vogël. Ky projekt na ka dhënë mundësinë të arrijmë edhe burrat, duke i bekuar ata dhe partneret e tyre.
Kisha të reja i bashkohen ҫdo vit projektit. Njerëzit befasohen dhe preken nga dhurata. Ata mësojnë se Perëndia i do dhe se janë të çmuar në sytë e Tij. Shumë prej tyre janë të hapur për ungjillin dhe na kontaktojnë për të marrë literaturë shtesë.

PROJEKTI I LULEVE
Në ditën e nënës dhe në ditën e mësuesit (7 dhe 8 Mars) në bashkëpunim me shumë kisha në shumë qytete dhe fshatra, Fondacioni Dera organizon një fushatë të madhe ku shpërndahen lule dhe një pusullë me vargje dashurie e vlerësimi për figurën e gruas, nënës dhe mësueseve. Shumë gra, por veçanërisht të vejat dhe të moshuarat e braktisura, preken shumë nga ky gjest dashurie.
Kemi patur bashkëpunime edhe me qendra mjekësore dhe spitale ku ofrohen shërbime qetësuese për pacientët me sëmundje terminale. Vullnetarët tanë vizitojnë ҫdo vit gratë në Spitalin Onkologjik në Tiranë. Mesazhi i veçantë inkurajon zemrat e tyre dhe u jep forcë për të luftuar për jetën e tyre. Ato shprehin mirënjohjen dhe vlerësimin e tyre dhe duken aq të lumtura që dikush mendoi për ta. Ne besojmë se shpresa në Krishtin e zëvendëson dëshpërimin. Për shumë prej tyre dëgjojmë se është dhurata e parë dhe e vetme që marin në atë ditë.

PROJEKTI I KRISHTLINDJES
Në periudhën më të gëzuar dhe më festive të fundvitit i prezantojmë njerëzit me kuptimin dhe gëzimin e vërtetë që sjell Krishtlindja. Fondacioni Dera-The Door Int, në bashkëpunim me kishat dhe organizata të krishtera në vend organizon ҫdo fundvit projektin e Krishtlindjes. Qëllimi i projektit është të përcjellë se cili është kuptimi i vërtetë i Krishtlindjes, duke arritur të gjithë njerëzit me ungjillin dhe duke u treguar dashurinë që Zoti ka për ta.
Broshura e Krishtlindjes dhe aktivitetet festive të organizuara e përcjellin më së miri mesazhin e kësaj feste. Disa prej këtyre aktiviteteve janë:
- Shfaqje, lojëra dhe muzikë me fëmijët e qytetit në shesh dhe parqe
- Shpërndarje e pakove me dhurata dhe këpucë për fëmijët në nevojë
- Shpërndarje e literaturës me mesazhin e Krishtlindjes, si kalendarë dhe kartolina
- Shpërndarje e pakove ushqimore

PROJEKTI I LUTJES DHE AGJËRIMIT
Në fillim të çdo viti, ne shpallim disa javë agjërimi dhe lutje. 24 orët e çdo ditë-nate janë të mbuluara me lutje dhe agjërim. Besimtarët e shumë kishave qëndrojnë së bashku në lutje dhe agjërim për kishën në Shqipëri, familjen në Shqipëri dhe për ringjalljen e kombit tonë.
Gjatë këtyre ditëve, ne organizojmë takime lutjesh të përbashkëta fizikisht, si dhe online me besimtarë shqiptarë në ҫdo vend të botës. Zoti ka bërë gjëra të mëdha dhe jemi akoma më shumë të inkurajuar të jemi këmbëngulës sepse Fjala e Zotit thotë: “të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje”.

PROJEKTI I PASHKËS
Me anë të këtij projekti në bashkëpunim me kishat dhe organizata të shumta çojmë mesazhin e Pashkës në cdo shtëpi përmes literaturës përshtatur kësaj festë duke i besuar Perëndisë për ringjallje në kombin tonë.
Gjatë periudhës së Pashkës, ekipe vullnetarësh shpërndajnë broshurën “3 Kryqet e kësaj Pashke” në ҫdo qytet e fshat në Shqipëri. Jemi dëshmitarë sesa shumë njerëz kanë pranuar Jezusin në zemrat e tyre.
Të Premten e Pashkës organizojmë një kohë lutjeje dhe adhurimi në Tiranë. Besimtarët mblidhen në qendër të qytetit dhe prej andej nisen të luten duke ecur në rrugë për të shkuar në një tjetër shesh të qytetit. Aty adhurojmë së bashku Zotin dhe më pas shpërndajmë broshurën e Pashkës për shumë njerëz.
Shumë besimtarë nga shumë kisha përfshihen në agjërimin e Danielit. Janë 21 ditë të bekuara në lutje dhe agjërim për kombin tonë dhe trupin e Krishtit në Shqipëri. Besimtarët përjetojnë fuqinë e Zotit. Ata luten me besnikëri çdo ditë për tre persona, ndajnë lajmin e mirë me ta dhe i ftojnë në eventin e festës së Pashkës. Zoti lëviz në jetën e shumë njerëzve dhe disa prej tyre e kanë pranuar Jezusin si Zotin dhe Shpëtimtarin e tyre.

PROJEKTI I DITËS BOTËRORE TË UNGJILLIZIMIT
Në ditën botërore të ungjillizimit Fondacioni Dera, në bashkëpunim me kishat lokale organizon aktivitete ungjillizuese si: ungjillizime masive, takime ungjillizuese dhe aktivitete sociale.
Me shkollat e mesme kemi zhvilluar ungjillizim dhe aktivitete sociale. Në shkollat ku është zhvilluar projekti, kemi nisur me shpërndarjen e një materiali ungjillizues me një pyetësor dhe ftesa për një takim të madh Ungjillizues që e organizojmë gjithmonë në bashkëpunim me kishat lokale. Në fund të takimit ungjillizues përmes një shorti përzgjidhen fituesit e disa dhuratave të cilët i janë përgjigjur saktësisht pyetjeve të pyetësorit mbi materialin.

PROJEKTI I FARAVE
Ky projekt ka në fokus arritjen e zonave rurale me Ungjillin. Për këtë dhurojmë në ҫdo familje pako me fara perimesh të ndryshme, me një mesazh ungjillizues në paketim.
Në bashkëpunim me kishat lokale, ne përgatisim pakot me farat e perimeve të ndryshme, dhe më pas vizitojmë familjet. Ata e vlerësojnë shumë dhuratën që marrin dhe shohim gëzim në fytyrat e tyre teksa flasim me ta dhe u tregojmë për dashurinë e Zotit. Lutemi që Fjala e Perëndisë të mbillet si farë në zemrat e tyre dhe të japë shumë fryt.

PROJEKTI I TË KORRAVE
Gjatë tetorit dhe nëntorit ne zhvillojmë projektin e të korrave, ku shpërndajmë lajmin e mire të Krishtit shtëpi më shtëpi nëpërmjet broshurës “Ligji i Artë”.
Zhvillojmë kampionate futbolli dhe volejbolli me të rinjtë në Tiranë dhe fshatrat përreth dhe ndajmë dashurinë e Zotit me ta. Lavdi Zotit disa nga të rinjtë që kanë marrë pjesë në kampionat kanë ardhur në kishë dhe jemi mirënjohës që Zoti po vijon të punojë në zemrat e tyre.
Studentëve u shpërndajmë ftesa dhe literaturë për të marrë pjesë në dy takimet “Dita e Orientimit” që organizohen në javën e fundit të tetorit. Shumë studentë marrin pjesë në këto takime dhe dëgjojnë lajmin e mirë.

PROJEKTI I TËRMETIT
Më 26 nëntor 2019, një tërmet i fuqishëm goditi Shqipërinë, ku dëmet më të mëdha ishin në zonën e Durrësit, Krujës, Laçit dhe Tiranës, duke shkaktuar vdekjen e 51 personave, mbi 3000 të plagosur dhe dëme të mëdha materiale. Mijëra tërmete vazhduan pas goditjes së parës. Ne kemi qenë pranë njerëzve që ishin në panik duke ndarë me ta dashurinë dhe shpresën që është te Jezusi. Çdo pasdite jemi lutur së bashku me pastorë dhe besimtarë nga kisha të ndryshme në sheshin e Tiranës për situatën. Edhe jobesimtarët na janë bashkuar në lutje dhe kemi ndarë Lajmin e Mirë me ta.

PROJEKTI COVID-19
Me nisjen e pandemisë Covid-19 në Mars të vitit 2020 situata në Shqipëri u bë shumë e vështirë. Karantina vazhdoi për disa muaj dhe njerëzit ishin plot frikë dhe të pashpresë. Shumë njerëz mbetën të papunë dhe na telefononin nga zona të ndryshme të Shqipërisë duke kërkuar ndihmë. Njerëzit që ishin në ankth na kanë telefonuar duke kërkuar lutje dhe inkurajim.
Gjatë kësaj kohe kemi shpërndarë dezinfektues duarsh së bashku me broshurën “Armiku i padukshëm” me një mesazh lidhur me pandeminë. Situata e shkaktuar nga Covid-19 ka qenë shumë e errët, por Zoti ka lëvizur fuqishëm dhe ka prekur shumë zemra përmes Fjalës së Tij. Gjatë kohëve më të vështira të pandemisë Covid – 19, trajnimet dhe takimet organizoheshin online. Në Maj 2020 filluam trajnimin online me librin “Mësona të lutemi” me një grup prej 300 besimtarësh. Trajnimi ishte çdo javë për shumë muaj.

UNGJILLIZIMI PËRMES INTERNETIT (FACEBOOK, INSTAGRAM, TWITTER, YOUTUBE)
Që prej datës 15 mars 2020, prej shumë muajsh, çdo natë Pastor Akil Pano ishte live në Facebook duke ndarë Ungjillin dhe duke u lutur për njerëzit. Çdo natë audienca live ka qenë nga 9.000 deri në 33.000 pjesëmarrës. Ka qenë mahnitëse uria dhe etja për Zotin në Shqipëri. Shumica e njerëzve kanë përjetuar frikë dhe ankth dhe e kanë gjetur Zotin të vetmin burim ndihme në një kohë të tillë nevoje. Shumë njerëz e kanë pranuar Jezusin si Zotin dhe Shpëtimtarin e tyre pasi janë udhëhequr online drejtpërdrejt nga pastori për të bërë lutjen e Shpëtimit.
Shërbesa online vijon edhe pas pandemisë. Shumë njerëz na kontaktojnë duke kërkuar literaturë, Bibla ose një fjalë inkurajuese pasi janë plot frikë, të dëshpëruar dhe të pashpresë. Shumë persona të tjerë shkruajnë dhe dërgojnë kërkesa për lutje. Fondacioni Dera siguron materialet e ndryshme ose Bibla për njerëzit që na kontaktojnë.
Lavdia i takon Zotit!

ARRITJA ME UNGJILLIN PËRMES TRAJNIMEVE PËR STUDENTËT E MJEKËSISË
Duke nisur nga muaji Maj i vitit 2022, në bashkëpunim me një organizatë mjekësore, kemi organizuar çdo javë trajnime për studentët e Universitetit të Mjekësisë.
Lavdi Zotit shumë studentë kanë qenë të hapur për të dëgjuar Lajmin e Mirë. Disa prej tyre kanë kërkuar një Bibël dhe kanë ardhur në grupet e studimit Biblik të kishës. Fryma e Shenjtë po vepron në zemrat e studentëve dhe ne lutemi dhe besojmë se më shumë prej tyre do të besojnë te Jezusi.

NE I DUAM FËMIJËT
Në ditën e fëmijëve (1 Qershor) Fondacioni Dera, në bashkëpunim me kishat lokale, organizon një event të madh pranë Liqenit të Tiranës, me lojëra, muzikë, kërcim, dhurata dhe surpriza për fituesit e lojërave. Aktivitete si pikturimi i fytyrës, i emocionojnë shumë fëmijët dhe ata vijnë me dëshirë për të pikturuar fytyrat e tyre me ngjyra dhe figura, vajzat me flutura dhe lule, dhe djemtë si njeriu merimangë.
Gjithashtu në këtë event shpërndajmë dhurata dhe libra për fëmijë, ku përmes historive të ndryshme ata mund të mësojnë për Jezusin. Prindërit e fëmijëvë janë mirënjohës dhe kanë kërkuar materiale ungjillizimi për të mësuar më shumë rreth Zotit.

ARRITJA E TË RINJVE ME UNGJILLIN PËRMES AKTIVITETEVE TË NDRYSHME
Fondacioni Dera, në bashkëpunim me kishat lokale, zhvillon aktivitete dhe evente për të rinjtë, duke pasur si qëllim kryesor prezantimin e ungjillit. Disa nga aktivitetet që zhvillohen janë: mbrëmje filmi, mbrëmje karaoke, volejboll, futboll, piknik dhe ngjitje në mal.
Shumë të rinj janë bërë pjesë në mënyrë të rregullt në këto aktivitete, dhe Zoti ka prekur zemrat e tyre. Shumica prej tyre kanë pyetje për Zotin dhe për materialet që u dhurohen. Ata janë bashkuar në kishat lokale dhe ndjekin në mënyrë të rregullt studimet bibilike. Lavdërojmë Zotin për të gjithë ata që po marrin mesazhin e shpëtimit në Krishtin.

DISHEPULLIZIMI
Pasi personat e rinj prezantohen me lajmin e mirë të Krishtit dhe shpëtohen, ne sigurohemi që ata të pajisen me një Bibël që do t’i ndihmojë të njohin më shumë Zotin. Më pas, në bashkëpunim me kishat lokale, ne zhvillojmë trajnime duke i dishepullizuar këta besimtarë të rinj, dhe duke i ndihmuar ata të bëhen dishepuj të Krishtit.
Trajnimet mbi dishepullizimin zhvillohen duke u bazuar në disa pyetje bazë që i ndihmojnë besimtarët të themelohen në Zotin dhe në Fjalën e Tij. Disa prej ҫështjeve kryesore janë: “Çfarë është një dishepull, cili është ҫmimi që paguan një dishepull, cilat janë frutat në jetën e një dishepulli, ҫfarë është një dishepullbërës, kishëmbjellja në librin e Veprave”.
Jemi mirënjohës Zotit që të gjitha projektet kanë qenë një bekim për të sjellë dashurinë e Krishtit në ҫdo zemër. Kemi parë jetë të transformuara dhe njerëz që kanë dhënë jetën e tyre në shërbim të ungjillit.
